Partia Demokratike Shqiptare ka dorëzuar iniciativën për rrëzimin e ligjit të sjellë nga Qeveria që fëmijët shqiptarë prej klasës së parë fillore ta mësojnë gjuhën maqedonase. Sipas PDSH-së me këtë vendim nxënësit shqiptar vendosen në pozitë të diskriminuar në raport me moshatarët e tyre maqedonas. Me këtë rast nxënësit shqiptar detyrohen t’i mësojnë dy gjuhë joamtare, gjuhën maqedonase dhe atë angleze, ndërsa për palën e kundërt nuk vlen e njëjta, ata mësojnë vetëm një gjuhë joamtare, gjuhën angleze. PDSH-ja është në kundërshtim me këtë vendim.
“Ky vendim është në kundërshtim edhe me dispozitat e ligjit për arsim fillor në nenin 2, në të cilin thuhet se ndalohet çfarëdo diskriminimi në baza nacionale dhe racore. Gjithashtu vlerësojmë se ky vendim është në kundërshtim edhe me konventat ndërkombëtare, përkatësisht me deklaratën universale për të drejtat e njeriut dhe konventën evropiane për mbrojtje të të drejtave të njeriut”, deklaroi përfaqësuesja e PDSH-së, Rudina Shaqiri.